
Nga gërmimet arkeologjike të viteve 1987 – 1990, prapa pallatit të kulturës “ Aleksandër Moisiu”, u zbuluan rrënojat e një shesh tregu të periudhës bizantine. Mendohet që monumenti të jetë ndërtuar në fund të shekullit V Pas. Kr, dhe të ketë funksionuar si i tillë deri në shek.VII, më vonë ai është kthyer në varreza.
Në këtë monument duken qartë mbetjet e kolonadës, një pjesë e dyshemesë. Dallohen mbetjet e një podiumi në qendër dhe një pus pranë tij.
Kolonada është ndër pjesët e dëmtuara më shumë . Ajo ka trajtë rrethore me diametër 40 m. Në gjendje të mirë paraqitet xokolatura e saj, vetëm 3 kolona ruhen të plota. Tek pjesa e sipërme e xokolit janë vendosur 11 pllaka jastëk guri në trajtë drejtkëndëshi.
Në pesë prej pllakave u gjetën edhe bazamentet e kolonave ndër këto dallohen këto germa ΤΙΑ,ΕΥ. Dyshemeja ka qenë e shtruar me pllaka guri kristalin. Ndahet nga xokolime një ujëmbledhës në trajtë gjysmë rrethore.
