
Termat e Durrësit u zbuluan gjatë hapjes së themeleve të pallatit të kulturës “A.Moisiu” më 1960. Terma e Dyrrahut duket se është një termë publike, për përdorim nga të gjithë njerëzit. Termat si ato publike dhe ato private i përkasin shekujve të I dhe të II të erës sonë.
Terma ka pasur një shtrirje jug-veri. Ato përfshijnë nga jugu, termat publike që mund të kenë qenë ndër kryesoret për nga madhësia dhe dekorativiteti, kanë gjithashtu orientime të mureve dhe mjediseve në linjë të përgjithshme veri-jug. Termat kanë kufizim të qartë nga perëndimi me rrugën e orientuar veri-jug.
Ruhet in situ trotuari dhe një pjesë e gjatësisë. Të ruajtura mirë deri më sot janë gjetur mjediset si: caldarium, dhe piscina, është arritur të veçohet tepidariumi, sudationes, furnium, latrina, nuk është zbuluar hyrja. Caldariumi lidhet me tepidariumin me dy porta ku vetëm pragu i njërës ruhet in situ. Ndërsa një port nga lindja e lidh me një mjedis që mendohet të jetë sudation. Në jug të tiepidariumit është një mjedis, i cili në një anë ka piscina notatori. Pishina ka qenë e veshur me mermer të bardhë. Uji në pishinë hynte nga kanalet, gjurmët e të cilave mund të shihen në muret anësore , mbi sofat, ndërsa zbrazja kryhej me anë të një tubacioni plumbi, i cili largohej drejt rrugës ku gjendeshin kanalet e shkarkimit. Pas pishinës duket se ka qenë apodyterium, shtruar me tulla të vogla në formë parketi “ opus sicatum”.
Në terma vërehet se ka ndërhyrje që kanë ndodhur gjatë periudhave të ndryshme. Caldariumi ose dhoma e nxehtë është mjedisi që është ruajtur më mirë, muret anësore janë të ruajtura deri në 2 m, janë të ndërtuara me tulla, dyshemeja është e ndërtuar me pllaka mermeri, por ka kombinime pllakash të bardha dhe të errëta, por në disa vende në vend të pllakave të errëta janë vënë pllaka të kuqe gati të murrme. Kjo sallë është e veshur me mermer dhe vertikalisht. Një trajtim të tillë të ngjashëm ka caldariumi në termat qendrore të Pompeit, e caldariumi në termat e forumit në Ostia. Në anën lindore të caldariumit , ekziston një port që të lidh me sudationes. Poshtë dyshemesë në hypocaust është kanali i daljes së avujve të nxehtë, praefurniumi. Praefurniumi është i trajtuar në mënyrë të rregullt. Mbi pjesën e sipërme të murit duket se nuk ka pasur hypocaust, kjo për arsye se muri mund të ishte i nxehtë. Një ambient tjetër është dhe tepidariumi. Tepidariumi ose e thënë ndryshe dhoma e ngrohtë është shumë pak e ruajtur, ka hypocaust horizontal, ka dhe një pjesë të dalë nga suspensura dhe disa pjesë të mureve anësore me gjurmët e suvasë dhe të veshjes. Nga jugu muri kufizues është ndarës me pishinën. Këto mure ruhen vende-vende dhe janë të ndërtuara me tulla të trasha kombinuar me brezin me gjashtë rreshta tullash të holla. Frigidarium, ndodhet në jug të tepidariumit, pjesë përbërëse e tij është dhe pishina. Pishina në tre krahë është e rrethuar me mur, në veri ka murin ndarës me tepidariumin, në perëndim murin e jashtëm kufizues e në jug një mur tjetër, që krijon ndarjen me latrinën. Ana lindore e sallës së frigidariumit ku është dhe korridori i kalimit për në tepidarium është e shtruar me pllaka guri. Apodyterium , ka funksionin e dhomës së zhveshjes. Ambient tjetër është dhe sudatoria, e cila ka shërbyer si një saunë e ditëve të sotme, ka qenë e lidhur me kaldariumin. Shtresa e kësaj salle është me hypokaust. Në një nga pilastrart e hipokaustit vjen një tullë me mbishkrim, ku ndoshta mund të jëtë emri i arkitektit, L. TUTILI V RUFUS ARCH, që do të tregonte ndërhyrjen e specialistëve romako-italik, në ndërtimet e këtij lloj.
